
Ushtruesja e detyrës së presidents në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që vendi të shmangë zgjedhjet e reja dhe të arrihet një konsensus ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit.
Ajo ka deklaruar se, nëse ka vullnet, marrëveshja mund të arrihet brenda orëve.
"Kjo javë është vendimtare. Uroj që të nisë me takime ndërmjet partive politike. Unë mirëpres çdo kontribut nga partitë politike dhe grupet parlamentare në lidhje me çështjen e zgjedhjes së presidentit, pasi nuk kanë mbetur shumë ditë. Nëse ka vullnet, ky proces mund të përfundojë shumë shpejt, brenda disa orëve. Prandaj, ftoj edhe sot, këtë të diel, që javën që kemi përpara ta shfrytëzojmë me takime, të cilat uroj të përfundojnë me një konsensus për emrin e presidentit", ka thënë Haxhiu.
Ajo ka shtuar se, për këtë qëllim, partitë politike po ftohen nga kryeministri Albin Kurti, i cili është lider i partisë në pushtet dhe ka mbështetje të konsiderueshme në Kuvendin e Kosovës, me mbi 50 deputetë dhe koalicionin e tij që ka 66 deputetë gjithsej.
"Nëse partitë presin ftesa, unë do t'ua dërgoj", tha Haxhiu.
Haxhiu e theksoi se zgjedhjet e reja nuk janë në interes të vendit dhe se qytetarët nuk i dëshirojnë ato, duke përmendur se zgjedhjet e fundit janë mbajtur vetëm pak muaj më parë, në dhjetor.
Ajo bëri thirrje për bashkim të forcave politike dhe për arritjen e një marrëveshjeje që mund të ndihmojë në zgjedhjen e presidentit të ri.
Deklaratat e Haxhiut vijnë disa ditë pas deklaratave të zëvendëskryeministrit të parë, Glauk Konjufca, i cili tha se zgjedhja e presidentit varet nga vullneti i opozitës, dhe nëse kjo është zgjedhja e opozitës, mund të shkohet në zgjedhje të reja.
Po ashtu, Konjufca kishte deklaruar se do të tërhiqte kandidaturën e tij nëse opozita do të dilte me një kandidat të përbashkët.
Kryeministri Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, zhvilluan një takim në fillim të këtij muaji, por nuk arritën asnjë marrëveshje për presidentin, ndërkohë që LVV-ja ka paralajmëruar takime të tjera me LDK-në dhe PDK-në.
Që nga 4 prilli, Albulena Haxhiu është ushtruese e detyrës së presidentes pas skadimit të mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani.
LVV-ja ka propozuar dy emra për president, Glauk Konjufcën dhe deputeten Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, por për shkak të mungesës së kuorumit, procesi është bllokuar.
Në një zhvillim të fundit, ish-presidentja Vjosa Osmani kishte shpallur një dekret për shpërndarjen e Kuvendit dhe thirrjen e zgjedhjeve të reja, por ky dekret nuk pati asnjë efekt juridik, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ceku 28 prillin si afat të fundit për zgjedhjen e presidentit.
Në të kundërt, Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe ka 57 ulëse në Kuvend, por kjo nuk është e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, pasi kërkohen të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë.



