Mitrovica e Veriut, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë votuar sërish për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, me synimin për t’u bërë pjesë e një asociacioni të veçantë të komunave me shumicë serbe në vend.
Ky është votimi i dytë për këtë çështje, pas atij të mbajtur më 18 dhjetor të vitit të kaluar.
Votimi i dhjetorit ishte shpallur i paligjshëm nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për shkak të parregullsive procedurale.
Sipas ministrisë, ndër shkeljet e konstatuara ishte edhe fakti se propozimi ishte paraqitur nga kryetarët e komunave, çka nuk ishte në përputhje me procedurat ligjore.
Ai e kishte kritikuar Listën Serbe se me këtë votim po synonte “nxitjen e ndasive ndërmjet komuniteteve, përçarjen, mosbesimin dhe tensionet, duke treguar mungesë gatishmërie për të bashkëpunuar me komunat e tjera në kuadër të Asociacionit”.
Vendimi i ri i së premtes duhet t'i dërgohet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për aprovim, pasi ajo është organi kryesor mbikëqyrës i komunave.
Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.
Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.



