Një tjetër dokument tronditës lidhur me rastin e të ndjerës Arlinda Zekaj nga Kosova, është bërë publik në rrjetet sociale, duke hedhur dritë mbi thirrjet e saj të dëshpëruara dhe të njepasnjëshme për mbrojtje, drejtuar institucioneve të drejtësisë përpara se të vritej.
Bëhet fjalë për një letër të shkruar me dorë, e cila i drejtohej gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Migjen Kastrati.
Letra, e cila mban datën 7 shtator 2026, u publikua nga shoqja e saj dhe asamblistja e Partisë Socialdemokrate (PSD) në Deçan, Natyra Kuçi.
Në këtë shkresë, e ndjera shprehte qartë frikën e madhe për sigurinë personale dhe të fëmijës së saj.
Në rreshtat e saj, Arlinda Zekaj i lutej gjyqtarit që të ndante vetëm pak minuta nga koha e tij për të trajtuar kërkesën për urdhër mbrojtjeje dhe për të vendosur për kujdestarinë e djalit.
“Shkruaj si një grua që tani po e ndjen rrezikun për jetën e vet, ashtu dhe për jetën e fëmijës që nuk e di ku e kam. Ju lutem shumë, gjeni pak minuta nga koha juaj e ngarkuar për të caktuar urdhrin mbrojtës dhe për të caktuar kujdestarinë e fëmijës... Për ju është ‘rutinë’, për mua është jetë dhe veç Zoti e di pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë”.
Këto fjalë marrin një peshë të rëndë dhe rrëqethëse pas tragjedisë së 25 tetorit 2026, ku 49-vjeçarja u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, krim për të cilin dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Emri i gjyqtarit Migjen Kastrati ishte përmendur edhe më parë në raportimet që lidheshin me masat mbrojtëse të caktuara ndaj viktimës.
Publikimi i këtij dokumenti ka rikthyer vëmendjen e opinionit publik te neglizhenca e dyshuar e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë përballë rrezikut që i kanosej Arlindës, e cila kishte dokumentuar çdo hap dhe kërcënim.
Rasti tragjik i vrasjes së 49-vjeçares, ka nxitur protesta masive në Kosovë, ku qytetarët dhe aktivistët po kërkojnë llogaridhënie të plotë nga policia, gjykata dhe prokuroria.
