Koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), si dhe shumica e partive të mëdha shqiptare, kanë kërkuar rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pas konstatimit të mospërputhjeve në votat për kandidatë për deputetë.
Pas evidentimit të këtyre dallimeve, më 19 janar Prokuroria e Shtetit ka nisur veprimet, duke urdhëruar grumbullimin e provave për manipulime të mundshme zgjedhore.
DnV deklaroi se pas konfirmimit të devijimeve masive në numërimin e votave për kandidatë në disa komuna, “shmangia nga vendimi për një rinumërim të plotë në nivel vendi po e thellon krizën e besimit në integritetin e procesit zgjedhor”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 13 janar nisi rinumërimin e 914 vendvotimeve, pasi një raport verifikimi për 2% të tyre evidentoi mospërputhje të konsiderueshme.
KQZ pritet të mblidhet pasditen e sotme për të diskutuar hapat e mëtejshëm lidhur me procesin e rinumërimit.
Rinumërimin e plotë e kanë kërkuar edhe partitë parlamentare. Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i cilësoi “tepër shqetësuese” mospërputhjet e zbuluara gjatë rinumërimit të pjesshëm.
Kërkesë të ngjashme ka bërë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili u shpreh se ‘Për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. Le të inkurajohen ata që kanë vlerësuar drejt, të zbulohen ata që kanë vjedhur. Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet.”
Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se rinumërimi i pjesshëm ka nxjerrë në pah një “skemë manipulimi të përmasave shqetësuese të votës së qytetarit”.
Sipas të dhënave, ndryshime në votat për kandidatë për deputetë janë konstatuar jo vetëm te partitë shqiptare, por edhe te subjektet e komuniteteve joshumicë.
KQZ përfundoi numërimin e të gjitha votave, përfshirë ato nga diaspora, më 9 janar.
Gjatë procesit të numërimit në qendrat komunale, çdo fletëvotim kalon disa faza kontrolli: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës, regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër dhe verifikohet nga një person i tretë.
Megjithatë, sipas dyshimeve, manipulimi mund të ndodhë në fazën e leximit të votave për kandidatë.
Në këto raste, numëruesi mund të lexojë gabimisht ose qëllimisht numrin e kandidatit, duke e zëvendësuar me një tjetër.
Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, ndërsa fletëvotimi real mbetet i pandryshuar. Numri i votave për parti nuk preket, por ndryshon vetëm shpërndarja e votave mes kandidatëve të së njëjtës parti.



