
Mbi 530 mijë € janë paguar për deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, të cilët u mblodhën për 54 tentime konstituimi që dështuan të krijonin Kuvendin.
Në këto tri muaj, përveç pagave për deputetët, shteti ka shpenzuar rreth 77 mijë euro për asistentët e tyre vetëm për muajin qershor. Sipas monitoruesve të punës së Kuvendit, edhe pse pagesat janë të ligjshme, ato nuk janë etike, duke pasur parasysh dështimin për të arritur një rezultat konkret.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë ndalese deri më 8 gusht për çdo vendim apo veprim të deputetëve, megjithatë ata vazhdojnë të marrin paga sipas Ligjit të Pagave. Gjatë këtyre 54 tentativave për konstituim, deputetët kanë marrë paga të plota, duke e bërë kështu një shpenzim prej më shumë se gjysmë milioni euro për buxhetin e shtetit.
Në total, për muajt prill, maj dhe qershor janë shpenzuar 95 mijë e 633.93 euro, 234 mijë e 998.98 euro, dhe 199 mijë e 907.67 euro, respektivisht, për pagat e deputetëve.
Pavarësisht kësaj, Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit të Kosovës ka theksuar se “deputetët nuk kanë përfituar benefite të tjera dhe asnjë prej tyre nuk ka hequr dorë nga paga”.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, një organizatë që monitoron punën e Kuvendit, thotë se këto pagesa janë të pasistemuara dhe të pasiguruara, duke theksuar se nuk kanë ndihmuar në avancimin e proceseve të Kuvendit.
Përveç deputetëve, 87 asistentë të cilët janë angazhuar për punën e deputetëve kanë marrë gjithsej për muajt maj dhe qershor 136 mijë e 802 euro.



