Në lidhje me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në studion e lajmeve në MCN TV ka komentuar gjeneral Ded Prenga.
Ai e cilësoi çështjen si “temën më madhore të momentit”, duke theksuar se aktualisht po paraqitet pretenca e Prokurorisë dhe pritet përfundimi i fjalës përmbyllëse.
Sipas tij, gjykata është krijuar padrejtësisht dhe procesi, siç u shpreh ai, është zhvilluar për pesë vite hetime pa u mbështetur në fakte dhe argumente të qëndrueshme.
Gjykatat, kudo që janë, nuk mund të mbështeten në dyshime dhe thashetheme, por vetëm në fakte dhe realitete konkrete. Duhet të merret në konsideratë vetëm e vërteta për fatin e katër udhëheqësve të Kosovës.
Ai shtoi se, sipas tij, është ushtruar juridiksion jashtë bazës së duhur ligjore dhe pa prova të mjaftueshme për të arritur në përfundime që çojnë në dënime.
Prenga shprehu bindjen se ndikimi politik i Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të shërbejë për të garantuar një proces të drejtë dhe të bazuar në fakte.
Duke iu referuar edhe rastit të Ramush Haradinaj, i cili në të kaluarën është përballur me drejtësinë ndërkombëtare dhe është shpallur i pafajshëm, Prenga u shpreh se pret që edhe në këtë rast mbrojtja ligjore të jetë vendimtare.
Nëse ka shkelje ligji dhe ka fakte, gjithsecili duhet të marrë atë që meriton. Por nëse pas pesë vitesh hetime nuk ka prova të mjaftueshme, atëherë do të ishte një njollë turpi dhe për vetë gjykatën që të jepen dënime pa argumente.



