Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë takimit në selinë e OKB-së në New York me shefen e diplomacisë evropiane, Kaja Kallasit ngriti shqetësimin për dënimet ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Kurti i cilësoi ato si vendime të padrejta, sipas tij, procesi është karakterizuar nga mungesa e transparencës. “Shpreha shqetësimin tim të thellë për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, pas një procesi pa transparencë në tërësinë e tij”, ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se gjykimi nuk ka përfunduar. Sipas tij, Kosova do të angazhohet që procesi dhe verdikti të korrigjohen në shkallën e apelit. Kurti kujtoi qindra mijëra qytetarë të dëbuar nga shtëpitë dhe mijëra të vrarë gjatë luftës. Ai përmendi edhe rreth 20 mijë gra e burra që konsiderohen viktima të dhunës seksuale të përdorur si armë lufte. Sipas tij, shumë krime të forcave serbe mbeten ende të pandëshkuara.
Në takim, kryeministri kërkoi gjithashtu mbështetjen e BE-së për sjelljen para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin në Banjskë. Ai rikujtoi se më 24 shtator mbushen 3 vjet nga sulmi ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.



