Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare akademiku Nexhat Daci, i cili ka shërbyer si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe përkohësisht si President në detyrë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës në vitin 2006.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari në detyrë i Kuvendit, Dimal Basha.
"Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, një figurë të shquar të jetës politike dhe publike të vendit tonë.
Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Daci, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij", ka shkruar Basha.
Gjatë viteve të shërbimit të tij në krye të Kuvendit të Kosovës, akademik Daci la gjurmë të pashlyeshme në historinë e demokracisë parlamentare të vendit.
Ai ishte themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe mbeti aktiv në jetën politike të vendit edhe pas përfundimit të mandatit të tij si kryeparlamentar.
Nexhat Daci ishte kimist, profesor universiteti, akademik. Daci lindi në Tërnoc të Bujanocit.



