
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërsa përmes një raporti të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) shprehin shqetësim për vazhdimin e bllokadës politike në vend.
Eksperti i sigurisë, Milazim Gashi, për "MCN live", e vlerëson këtë raport si një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se, edhe pse kishte një mbështetje të konsiderueshme prej 52%, nuk arriti të sigurojë zgjedhjen e presidentit të vendit.
Mesazhi që vjen nga raporti i DASH, kryqëzon Kurtin, tregon se SHBA-të kanë një monitorim të vazhdueshëm dhe të detajuar të zhvillimeve politike në Kosovë, përfshirë edhe proceset në Kuvend.
Çdo raport që hartohet për Kosovën përfshin një analizë të gjerë të situatës politike dhe institucionale.
Gashi thekson se raporti i fundit e vendos përgjegjësinë edhe mbi subjektet politike, duke nënvizuar se një forcë politike me shumicë të tillë duhet të kishte gjetur mënyra për të realizuar zgjedhjen e presidentit.
Ky raport përbën një sinjal serioz për klasën politike në vend, veçanërisht për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Kurti, duke e cilësuar si një alarm për të gjitha subjektet politike që të gjejnë zgjidhje dhe të shmangin thellimin e krizës institucionale.
Në këtë kontekst, theksohet nevoja që të gjitha palët të tregojnë përgjegjësi për të çuar vendin drejt stabilitetit politik dhe funksionimit normal të institucioneve.



