Që nga 9 shkurti, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, Kosova ka mbetur pa institucione të reja të dalë nga këto zgjedhje.
Si pasojë, ende nuk ka një Kuvend të konstituuar dhe as një qeveri të re.
Ditët e fundit, pritej që Gjykata Kushtetuese të dalë me një sqarim lidhur me situatën pas kërkesës së Presidentes Vjosa Osmani për një masë të përkohshme, pasi Kuvendi nuk u konstituua as pas 30 ditëve të afatit që Kushtetuesja kishte vendosur.
Megjithatë, një ditë më parë, Presidentja Osmani njoftoi se ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Osmani tha se vendimi për tërheqjen e kërkesës është marrë si reagim ndaj caktimit të gjyqtarit Radomir Llaban si raportues në këtë çështje, të cilin ajo e cilëson si një figurë problematike për sigurinë e shtetit.
Emri i Radomir Llaban ka trazuar sërish opinionin publik në Kosovë.
Pasi u caktua si gjyqtar raportues, emri dhe e kaluara e tij u rikthyen në diskutim. Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ai u emërua gjyqtar nga ish-Presidenti Hashim Thaçi në gusht të vitit 2018. Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.
Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.
Në vitin 2017, Serbia dërgoi një kërkesë për arrestimin e Llabanit te EULEX-i, por ky i fundit tha se nuk kishte mandat ta arrestonte.
Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozicion. Mandati i tij në Gjykatën Kushtetuese është nëntë vjet.
Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës refuzoi ta emëronte Llabanin për noter pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.
Në një konferencë për media, Presidentja Osmani njoftoi dje se ka tërhequr kërkesën e saj.
Ajo pati kritika të forta ndaj këtij gjyqtari, duke thënë se do të ishte më shumë dëm sesa dobi për Kosovën, nëse Llaban do të vendoste për këtë çështje.
Ky ka qenë një rast shumë i rëndësishëm, sepse përmes tij mund të qartësoheshin një sërë temash të rëndësishme për institucionet e Kosovës, jo vetëm për këtë mandat, por edhe për ata të ardhshëm. Megjithatë, më shumë dëm do të bëhej nëse ne do të mbyllnim sytë dhe do të pretendonim se asgjë nuk ka ndodhur me caktimin e një gjyqtari, për të cilin kemi marrë informacione jashtëzakonisht shqetësuese. Këto informacione nuk janë të thjeshta; ato janë shqetësuese për sigurinë e shtetit. Prandaj, kemi vlerësuar se më shumë dëm do të bëhej nëse lëmë këtë çështje në duar të një gjyqtari raportues, i cili do të trasonte një rrugë të gabuar përpara.
Ky zhvillim ka krijuar shumë spekulime në opinionin publik, ku disa e shohin këtë si një strategji të Presidentes Osmani dhe ndoshta të kryeministrit Albin Kurti, për të çuar deri në dorëheqjen apo shkarkimin e Llaban.
Nëse Llaban shkarkohet, Gjykata Kushtetuese do të mbetej pa kuorum, duke bërë që bllokada politike të arrijë një nivel tjetër, pasi do të ishte e pamundur që të merrej një vendim për krizën në Kuvend.



