
Sot shënohen dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë oficeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa autori i vetëshpallur i sulmit, Milan Radoiçiç, vijon të jetë i lirë në Serbi.
Në këtë përvjetor kanë reaguar Ambasadat e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe në Kosovë, duke dënuar ashpër mungesën e drejtësisë dhe pandëshkueshmërinë e autorëve të sulmit, që sipas tyre, është e papranueshme.
"Dy vjet që nga sulmi i tmerrshëm në Banjskë, megjithatë udhëheqësi i vetëshpallur i sulmit, Radoiçiç, vazhdon të jetojë i lirë në Serbi. Dy vjet që nga vrasja e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe pavarësisht garancive të ndryshme se autorët do të mbahen përgjegjës, ende nuk është vendosur drejtësi.
Kjo pandëshkueshmëri e dukshme është e papranueshme. Është e domosdoshme që llogaridhënia dhe drejtësia të zbatohen pa asnjë vonesë të mëtejshme", shkruan Ambasada Gjermane.
Edhe Ambasada Britanike në Prishtinë shprehu shqetësimin e saj për këtë përvjetor, duke e cilësuar si një “kujtesë të dhimbshme për jetën e humbur” dhe një “thirrje për drejtësi”.
“Sot shënohet përvjetori i dytë i sulmit të tmerrshëm në Banjskë. Kjo ditë shërben si një përkujtim i hidhur për jetën e humbur dhe si një thirrje për drejtësi të vonuar.”
Në dyvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë, sot është nderuar rreshteri Afrim Bunjaku i cili ra heroikisht gjatë këtij sulmi.
Familjarë, zyrtarë të lartë shtetërorë, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe qytetarë të shumtë vendosen kurora lulesh tek varri i rreshterit.
Sipas aktakuzës së ngritur në Kosovë, Milan Radoiçiç dhe të tjerë persona të përfshirë në sulmin terrorist akuzohen për cenim të rendit kushtetues dhe veprime kundër sistemit ligjor të Republikës së Kosovës.
Në total, janë ngritur akuza për 45 persona. Deri tani, vetëm tre janë arrestuar në territorin e Kosovës dhe po përballen me drejtësinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Të tjerët ndodhen në arrati, ndërsa Interpoli ka lëshuar fletarrestime për ta në dhjetor 2023.
Në Prishtinë, sot ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve të arrestuar, të cilët ndodhen në paraburgim që nga shtatori i vitit 2023.
Ata po gjykohen për pjesëmarrje në sulmin e armatosur të datës 24 shtator 2023, që u cilësua nga autoritetet kosovare dhe komuniteti ndërkombëtar si sulm terrorist i organizuar.



