Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare, Prokuroria ka kërkuar zyrtarisht dënimin maksimal me burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Sipas organit të akuzës, krimi nuk ishte rastësi, por një plan i mirëorganizuar dhe i zbatuar me gjakftohtësi, që kishte nisur me sigurimin e jetës së viktimës dhe kishte përfunduar me ekzekutimin e saj në një pritë të organizuar.
Prokurorja e rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, Javorka Perlinçeviç në fjalën e saj përfundimtare ka ironizuar me dëshmitë e tre të dyshuarve.
Perlinçeviç ka thënë se tri skenarëve të ndryshëm të tyre do t’ua kishin zili producentët dhe skenaristë të Hollywood’it.
"Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor kemi pasur mundësi ti shhohim tri mbrojtje të mirëmenduara gjegjësisht “tri skenar të ndryshëm të një ngjarjeje” të cilat janë dhënë nga tre të akuzuarit në të cilat mundet e të cilave do tu kishin zili edhe producentët dhe skenaristët e Hollywood. Ku secili nga tre të akuzuarit vetën e ka paraqitur si person që nuk ka asgjë me kryerjen e veprës penale që është lëndë e kësaj procedure duke ja gjuajtur fajësinë të akuzuarve të tjerë e që mëkati më i madh i tij është njohja e dy të akuzuarve të tjerë”, ka deklaruar prokurorja.
Prokuroria argumenton se provat tregojnë që në qershor të vitit 2022, familja Murseli në Suedi kishte paguar një policë sigurimi jetësor në emër të Liridona Ademajt.
“Menjëherë pas kësaj, Naim Murseli i kishte kërkuar Kushtrim Kokallës të gjente një mënyrë për ta vrarë Liridonën. Kjo vërteton se polica e sigurimit ishte paguar me vetëdije të plotë për qëllimin e vrasjes”, u tha në sallën e gjyqit.
Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla janë marrë vesh paraprakisht që vrasja të kryhej nga Granit Plava, kundrejt një pagese prej 30 mijë eurosh nga Naim Murseli.
Po sipas Prokurorisë, plani është ideuar nga vetë bashkëshorti i viktimës, për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve familjare dhe martesore, çka kishte nxitur edhe motivin e hakmarrjes.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Sipas Prokurorisë, Murseli kishte inskenuar ngjarjen si grabitje, duke i dhënë sinjal me drita automjetit të autorit.
Në atë moment, Plava, i maskuar dhe i armatosur, kishte dalë përpara veturës dhe kishte qëlluar viktimën nga afërsia, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse në kokë.
Prokuroria pretendon se gjatë sulmit, Murseli e kishte mbajtur viktimën për krahu, duke ia pamundësuar shmangien e plumbit. Pas ngjarjes, ai është larguar nga vendi i krimit bashkë me fëmijët.



