Kosova mban ditën e nesërme zgjedhjet e radhës, të cilat vijnë pas një krize të gjatë institucionale dhe politike.
Në prag të votimit, analisti Baton Haxhiu vlerëson se asnjë parti nuk do të arrijë të sigurojë e vetme shumicën e nevojshme për të qeverisur.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve do të imponojë nevojën për koalicione dhe bashkëpunim politik.
Haxhiu parashikon për MCN TV se Lëvizja Vetëvendosje do të mbetet forca e parë, por me një rënie të mbështetjes krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Në këtë panoramë, ai sheh një koalicion të mundshëm mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës si formulën më të mundshme për krijimin e qeverisë së re.
Sa kanë filluar përgatitjet për tu votuar. Nëse partitë pozicionohen si herëve të tjera, besoj se do të kemi zgjedhje prapë në Kosovë. Mendoj se të gjithë kanë mësuar nga e kaluara dhe partitë do të mendojnë për koalicionin e ardhshëm politik dhe ky koalicion i ardhshëm politik do të ndërtohet nga i pari që tashmë dihet do të jetë Vetëvendosje dhe LDK që mund të krijojnë qeverinë e ardhshme sepse asnjë prej partive politike nuk mundet e vete të fitojë këto zgjedhje edhe pse Albin Kurti ka kërkuar 60% të votave.
Mendoj se Kurti do të bjerë në këto zgjedhje dhe do të humbë 4-5% të elektoratit nga zgjedhjet e kaluara, por kjo humbje nuk i rrezikon vendin e parë. Ky 5% shkon kryesisht në shumicën e saj te LDK, për shkak të angazhimit të Vjosa Osmanit, ndërsa nga 1% merr PDK dhe AAK. Rezultati shkon tek 46% për Vetëvendosjen, 22% për LDK.
Ky mund të jetë rezultati në varësi të numrit të diasporës në Kosovë. Diaspora mund ta ndryshojë këtë rezultat dhe kjo matje vjen nga rezidentët në Kosovë, por diaspora mund të japë një numër tjetër. Nga sa kam parë në sondazhin e kryer, opozita nuk lëviz, flasim për PDK dhe AAK, mund të lëvizin vetëm nga 1%, jo më shumë.
Ato vota që i ka humbur Vetëvendosje dhe LDK do e rrisë kuotën e saj me 4%. Opozita bashkë me Listën Serbe dhe minoritetet mund të arrijnë deri në 71-72 deputetë, nëse duan të krijojnë qeverinë. Por pa serbët e kanë të pamundur. Ndërsa Vetëvendosje pa partitë opozitare mund të shkojë në zgjedhje, se nuk ka mundësi të ndërtojë koalicion.
Kur ka ikur Vjosa Osmani nga koalicioni me Vetëvendosjen me Listën Guxo, ka marrë me vete 75 mijë vota dhe e ka sjellë LDK në 130 mijë vota. Ajo i kthen gati 60% të atyre votave dhe LDK mund të shkojë rreth 180 mijë vota. Ato janë vota që i ka sjellë fryma e Vjosës, e cila ka ndërtuar frymën e saj, mbi një tradhti që Albin Kurti sipas saj i ka bërë Kosovës.



