Vrasja e Arlinda Zekajt/ Pezullohen kryeprokurorja, prokurorja e rastit dhe 11 zyrtarë policorë në Pejë për dështim të urdhrave të mbrojtjes

Vrasja e Arlinda Zekajt/ Pezullohen kryeprokurorja, prokurorja e rastit dhe 11 zyrtarë policorë në Pejë për dështim të urdhrave të mbrojtjes

Një valë masive pezullimesh ka goditur institucionet e drejtësisë dhe sigurisë në Pejë, pas vrasjes makabre të Arlinda Zekajt mbrëmjen e 25 tetorit. 

 

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Policia e Kosovës kanë ndërmarrë masa drastike të enjten, duke pezulluar nga detyra dy prokurore dhe 11 zyrtarë policorë, pas gjetjeve se zinxhiri komandues dështoi të ekzekutonte urdhrat e mbrojtjes për viktimën.

 

Vendimi i KPK-së ka lënë jashtë zyre kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, si dhe prokuroren e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferi, ndaj të cilave ka nisur një procedurë e thellë disiplinore përmes një paneli hetimor.

 

Nga ana tjetër, bazuar në rekomandimet e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Policia e Kosovës ka pezulluar për një afat deri në gjashtë muaj 11 zyrtarë të saj. 

 

Në mesin e të pezulluarve janë Agron Hasanaj – u.d. i Drejtorit Rajonal të Policisë në Pejë, Faik Jahmurataj – Komandant i Stacionit Policor në Pejë, zëvendëskomandanti i stacionit, Shefi i Sektorit të Hetimeve dhe katër hetues policorë.

 

Raporti i IPK-së zbuloi një skandal të rëndë institucional: Policia nuk e kishte ekzekutuar fare urdhrin e parë të mbrojtjes të datës 7 shtator 2026. 

Ndërkaq, urdhri i dytë i datës 16 tetor u ekzekutua me 6 ditë vonesë, dhe kjo vetëm pas ndërhyrjes së vetë Inspektoratit.

 

Më tronditës është fakti se zinxhiri komandues shpërfilli kërkesën zyrtare të një hetuesi të thjeshtë, i cili më 23 tetor kishte kërkuar që shtëpia e Arlindës të vizitohej vazhdimisht nga patrullat për shkak të rrezikut të lartë.

 

Vetëm dy ditë para se të vritej, Arlinda Zekaj i kishte shkruar një letër personale kryeprokurores Vuçetaj, ku ankohej për neglizhencën e tmerrshme të autoriteteve.

 

Në ditën e vrasjes, Arlinda bëri denoncimin e saj të fundit.

 Bashkëshorti i saj (nga i cili ishte ndarë dhe që e kishte kërcënuar me jetë që nga dhjetori i kaluar) u ndalua për 48 orë.

 

 Edhe pse ajo pranoi se ndihej e cenuar sepse në shtëpi ndodheshin familjarët e tij, ajo këmbënguli në të drejtën e saj ligjore për t'u kthyer në shtëpinë e përbashkët. 

Pak minuta pasi policia e shoqëroi për në banesë, ajo u masakrua me sëpatë nga kunati i saj, i cili tashmë ndodhet në paraburgim.

 

Arlinda Zekaj shënon gruan e tetë të vrarë gjatë këtij viti në Kosovë, gjë që ka ndezur protesta masive në Prishtinë. 

Për dy ditë me radhë, qindra qytetarë kanë marshuar duke hedhur bojë të kuqe mbi ndërtesat qeveritare dhe duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

 

Zyra e Kryeministrit Albin Kurti njoftoi se ka pranuar raportet e detajuara nga dikasteret përkatëse dhe ka premtuar analizimin e çdo lëshimi institucional për këtë ngjarje të rëndë.

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy