
Kosova rrezikon të humbasë rreth 60 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, nëse deri më 30 qershor nuk arrin të zbatojë reformat e kërkuara nga Brukseli.
Vendi nuk ka përmbushur ende 13 hapat e parë reformues, ndërsa afati për realizimin e tyre përfundon në fund të këtij muaji.
Autoritetet kanë argumentuar se vonesat lidhen me mungesën e institucioneve funksionale dhe ngërçin politik që ka penguar procesin e vendimmarrjes.
Për zbatimin e reformave të parashikuara, Kuvendi duhej të miratonte në kohë një sërë ligjesh të rëndësishme.
Megjithatë, situata politike ka ngadalësuar dhe në disa raste ka bllokuar procedurat legjislative, duke vënë në rrezik përfitimin e fondeve evropiane.
Ekspertët vlerësojnë se humbja e këtyre mjeteve do të përbënte një goditje të ndjeshme për ekonominë e Kosovës, në një kohë kur vendi synon të përshpejtojë zhvillimin dhe integrimin evropian.
11 nga hapat e parë reformues lidhen me sundimin e ligjit, qeverisjen, zhvillimin ekonomik, si dhe tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital.
Rreziku nuk ndalet vetëm te fondet e këtij muaji.
Deri në fund të dhjetorit, Kosova duhet të përmbushë edhe 27 reforma të tjera.
Nëse këto nuk realizohen, vendi mund të humbasë mbi 165 milionë euro shtesë nga fondet e Bashkimit Evropian.
Në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian ka paraparë për Kosovën mbi 880 milionë euro në formën e granteve dhe kredive deri në fund të vitit 2027, me kusht që të zbatohen reformat dhe kriteret e përcaktuara.



