
Në Leposaviç janë gjetur 10 detonatorë, për të cilët ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka akuzuar Serbinë, duke pretenduar se po planifikohej një sulm terrorist.
Eksperti i sigurisë Milazim Gashi, në një analizë të situatës së sigurisë në Kosovë, për “MCN live”, gjykon se Serbia nuk ka mundësi as policore dhe as ushtarake të hyjë në territorin e Kosovës, ndërsa masat e sigurisë në kufi janë rritur ndjeshëm.
Siç dihet, Serbia çdo herë e ka pasur Kosovën target të eskalimeve të ndryshme në aspektin e sigurisë. Por duke llogaritur efikasitetin dhe mbikëqyrjen e NATO-s në Kosovë, kufiri është i monitoruar në mënyrë të rreptë dhe kapacitetet për mbrojtjen e tij janë rritur.
Edhe para deklaratave të ministrit Sveçla, ekspertët kishin paralajmëruar se Serbia, përmes grupeve të vogla individuale, mund të tentojë ndonjë incident apo eskalim të situatës brenda territorit të Kosovës, por jo një operacion të mirëfilltë policor apo ushtarak.
Sipas Gashit Serbia nuk ka asnjë mundësi të hyjë në Kosovë.
Sa i përket elementit policor dhe ushtarak, Serbia nuk ka asnjë mundësi të hyjë në Kosovë. Ideja e një ndërhyrjeje të tillë është vetëm një dezinformim politik që vjen nga qarqe të caktuara.
Sistemi IBM (Integrated Border Management) në pikën kufitare Kosovë–Serbi funksionon me një zonë të përbashkët rreth 6 kilometra, ku të dy palët, Policia e Kosovës dhe ajo e Serbisë, operojnë nën koordinimin e strukturave ndërkombëtare.
Forcat policore të Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht elementët e antiterrorizmit, bashkëpunojnë në koordinim me NATO-n dhe EULEX-in.
Ky mekanizëm ka ndihmuar për vite me radhë në identifikimin dhe neutralizimin e grupeve terroriste.



