Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar Kombëtaren e Kosovës në futboll me Medaljen Presidenciale të Meritave, pavarësisht humbjes ndaj Kombëtarja e Turqisë të martën mbrëma në finalen e plejofit për kualifikim në Botëror.
Kosova u mposht me rezultat minimal në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Megjithatë, Osmani theksoi se futbollistët e kanë përfaqësuar vendin me krenari dhe i përgëzoi për rrugëtimin e tyre.
Ajo u shpreh se dekorata u ndahet për përfaqësimin dinjitoz të shtetit në arenën ndërkombëtare.
“Pavarësisht rezultatit, ju do të mbeteni në piedestalin më të lartë të Republikës sonë për krenarinë që i keni dhënë popullit tonë. Në emër të shtetit dhe të gjithë qytetarëve, ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për vendin tonë. Kontributi juaj është pjesë e pandashme e historisë sonë sportive dhe frymëzim për brezat që vijnë,” u shpreh Osmani, duke shtuar se rruga e ekipit pritet të jetë edhe më e ndritshme në të ardhmen.
Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm edhe kryetari i Federata e Futbollit e Kosovës, Agim Ademi, trajneri Franco Foda, si dhe futbollistët Vedat Muriqi dhe Valon Berisha.
Kapiteni i ekipit, Vedat Muriqi, deklaroi se fati nuk ishte në anën e Kosovës në ndeshjen ndaj Turqisë.
“Shpresojmë për të ardhmen, pasi kemi një gjeneratë shumë të mirë dhe potencial të madh. Jam krenar që jam pjesë e Kombëtares së Kosovës. Do të kisha dëshirë ta udhëhiqja ekipin në Botëror, por ndonjëherë fati nuk të përcjell. Shpresoj që herën tjetër të arrijmë kualifikimin,” u shpreh ai.



