Nga 38 komunat e Kosovës, 21 prej tyre kanë përfunduar garën për kryetar komune që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor, ndërsa 17 të tjera do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor.
Në këto 17 komuna, asnjëri prej kandidatëve nuk arriti të sigurojë mbi 50% të votave. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, këtë vit janë pesë komuna më pak që do të shkojnë në raund të dytë, ndërsa katër më shumë e kanë përfunduar garën në raundin e parë.
Gara mbetet e hapur në disa nga qytetet më të mëdha të vendit si Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë, ku askush nuk arriti të sigurojë shumicën absolute të votave.
Sipas rezultateve paraprake:
PDK ka fituar në Ferizaj, Skenderaj dhe Han të Elezit, por ka humbur bastionin e saj tradicional në Drenas, ku Ramiz Lladrovci – ish-anëtar i PDK-së – ka fituar si kundërkandidat.
Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar fitore në raundin e parë në Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.
AAK ka fituar në Deçan dhe Klinë.
LDK ka dalë fituese në Istog dhe Lipjan.
Nisma Socialdemokrate ka fituar në Malishevë, ndërsa KDTP në Mamushë.
Ndërkohë, Lista Serbe ka siguruar fitore pa balotazh në komunat me shumicë serbe: Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut. Përjashtim bën Kllokoti, ku do të zhvillohet balotazh mes kandidatit të Listës Serbe, Bozhidar Dejanoviq (me 41.62% të votave), dhe kandidatit të Unitetit Kombëtar Serb, Sreqko Spasiq.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pjesëmarrja në raundin e parë të zgjedhjeve ishte 39.51%, më e ulët krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 kur u regjistrua pak mbi 43%.
Nga gjithsej 2,069,098 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar mbi 800 mijë qytetarë.



