Prokuroria Speciale kërkon 45 vjet burg për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin

Prokuroria Speciale kërkon 45 vjet burg për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin

Sot, në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka nisur faza e fjalëve përfundimtare në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar dënim total prej 45 vjetësh burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të akuzuar në rastin më të madh që po trajtohet nga Dhomat e Specializuara.

West i ka kërkuar trupit gjykues që gjatë marrjes së vendimit të marrë parasysh peshën dhe përgjegjësinë individuale të secilit të akuzuar, duke theksuar se veprimet e tyre përbëjnë shkelje serioze sipas aktakuzës.

“Kërkojmë dënimin e personave konkretë pra nuk kërkojmë një dënim për Shtabin e Përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon aktgjykim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës me dënim unik prej 45 vjetësh duke u mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera nga secili prej personave: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë krime të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të jenë ende shumë të rënda”, tha West.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. 

Në bazë të aktakuzës së ZPS-së, e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10), si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. 

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët. 

Dita e sotme e seancës është rezervuar për Prokurorinë për deklaratat përmbyllëse e cila do të vazhdojë edhe nesër duke pasuar më pas me deklaratat e Mbrojtësit të Viktimave. 

Ndërsa, e mërkura është rezervuar për deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes së Thaçit dhe asaj të Veselit e që kjo e funndit do të vazhdojë edhe të enjten për të pasuar më pas me Krasniqin.

Mbrojtja e Krasniqit do të përfundojë deklaratën e saj përmbyllëse të premten dhe pastaj do të vazhdojë ajo e Selimit.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy