
Partia Lëvizja Vetëvendosje do të tentojë për herë të dytë të formojë qeverinë, edhe pse nuk ka ende votat e sigurta.
Të martën, kjo parti propozoi për kryeministër nënkryetarin e saj, Glauk Konjufca. Pas disa orësh, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e pranoi propozimin dhe e mandatoi Konjufcën për formimin e qeverisë.
Konjufca ka bërë thirrje për mbështetje nga opozita, por ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni të zakonshëm me parti tjera. Ai deklaroi se synon një qeveri afërsisht afatshkurtër, me qëllim kryesor shmangien e zgjedhjeve në dhjetor dhe miratimin e buxhetit për vitin 2026.
Nga ana tjetër, partitë opozitare janë shprehur kundër idesë që VV-ja të marrë një mundësi të dytë për formim të qeverisë duke mos depërtuar një marrëveshje të gjerë bashkëqeverisjeje.
Presidentja Osmani theksoi se mandati i ri erdhi sipas kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk është i nevojshëm në këtë fazë një garanci për votat, por kryesisht një mundësi për të formuar qeverinë.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës vijon të jetë i bllokuar për formimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, në të cilat VV-ja doli forca e parë por pa shumicë absolute.
Kryeministri në detyrë iu ka bërë thirrje partive deri tash në opozitë që për kryeministër të votojnë Glauk Konjufcën.
Sipas Kurtit, mbajtja eventuale e zgjedhjeve në dhjetor të këtij viti pa miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm rrezikon qëndrueshmërinë e shtetit dhe stabilitetin ekonomik.
Në tentimin e parë, Kurti, si i mandatuar për kryeministër, mori 56 vota nga 61 sa më së paku i janë dashur për t`u votuar qeveria e re. Për sigurimin e votave të nevojshme, Konjufca nuk synon të bëjë koalicion me asnjërën prej partive në opozitë. Por, ai ka thënë se pret votat e tyre e bashkëpunim nga to për votimin e buxhetit të shtetit e atë të RTK-së.
Por, nominimi i Glauk Konjufcës për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrimin e partive shqiptare të përfaqësuara në Kuvend. Ato jane shprehur se nuk kanë vota për kandidatin e ri të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Glauk Konjufca.
Pas mandatimit nga presidentja, Konjufca ka në dispozicion 15 ditë që para Kuvendit të paraqesë programin e kabinetin e tij.



