Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 17 nëntor, aktgjykimin në rastin e dytë kundër ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër personave të tjerë, të cilët akuzohen për vepra penale që lidhen me administrimin e drejtësisë dhe ndikimin ndaj dëshmitarëve.
Vendimi u mor nga gjyqtari i vetëm i çështjes, Charles L. Gosnell.
Në këtë proces gjyqësor, përveç Thaçit, të akuzuar janë edhe katër ish-zyrtarë të lartë, të cilët janë deklaruar të pafajshëm si Bashkim Smakaj, ish-shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Hajredin Kuçi, ish-ministër i Drejtësisë. Isni Kilaj, ish-kryetar i Malishevës dhe Fadil Fazliu, ish-zyrtar.
Gjatë deklaratave përmbyllëse të mbajtura në shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) argumentoi se gjatë vitit 2023, Thaçi u kishte dhënë vizitorëve në qendrën e paraburgimit informacione konfidenciale mbi dëshmitarët mbrojtës dhe i kishte udhëzuar se si të ndikonin në dëshmitë e tyre.
Për të mbështetur akuzën, Prokuroria publikoi edhe audio-përgjime të takimeve. Në këtë skemë, sipas akuzës, të bashkëpandehurit e tjerë ndihmuan në përcjelljen e këtyre udhëzimeve në terren.
Në bazë të këtyre pretendimeve, Prokuroria ka kërkuar këto masa dënimi:
• 6 vjet burgim për Hashim Thaçin.
• Nga 3 vjet burgim për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun.
• 9 muaj burgim për Hajredin Kuçin.
Nga ana tjetër, mbrojtja e ish-presidentit ka kërkuar pafajësi dhe lirimin e tij të menjëhershëm nga këto akuza, duke argumentuar se organet e akuzës nuk kanë paraqitur prova të qëndrueshme që arsyetojnë dënimin.
Ky rast për pengim të drejtësisë është plotësisht i ndarë nga procesi kryesor gjyqësor ku Gjykata Speciale, më 16 shtator, dha vendimet e shkallës së parë për krime lufte ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke i dënuar me një total prej 81 vitesh burgim
Nëse Thaçi shpallet fajtor edhe në këtë proces të dytë, Prokuroria ka kërkuar zyrtarisht që dënimi prej 6 vitesh burgim të mos shkrihet, por t'i shtohet dënimit ekzistues, duke u vuajtur në mënyrë të njëpasnjëshme.



