Ngjarjet e fundit në Shqipëri, kanë nxitur edhe reagimin e parë zyrtar nga Kosova.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu, ka thënë se institucionet shtetërore në Shqipëri, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca, kanë për obligim të trajtojnë me seriozitet dhe pa arrogancë kërkesat e studentëve dhe protestuesve.
Në një deklaratë të dhënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ajo bëri thirrje për maturi nga të dyja palët dhe dënoi përdorimin e dhunës në terren.
Sipas saj, sjelljet arrogante nga ana e autoriteteve vetëm sa i nxitin dhe i përshkallëzojnë më tej tubimet.
Është shumë e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen nga institucionet, besoj që secili prej drejtuesve të institucioneve atje, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e ka për obligim që t’i trajtojë kërkesat e studentëve, a janë ato që kanë dalë tash, a janë ato të shtresuara që kanë nisur para disa viteve.
Natyrisht që ne nuk e mbështesim dhunën, dhuna duhet të ndalohet nga të dyja palët, mendoj që është e rëndësishme qasja serioze në raport me këto protesta, jo arroganca, mendoj që arroganca vetëm nxit këto protesta, prandaj edhe thërras me maturi, me seriozitet të tejkalohet ndasitë.
Lidhur me zërat për praninë e shtetasve nga Kosova në protesta, kryetarja e Kuvendit sqaroi se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të mbahet përgjegjëse për veprimet individuale të qytetarëve, duke kujtuar se si forcë politike gëzon një mbështetje jashtëzakonisht të gjerë gjeografike.
Ajo ka thënë se asnjëherë nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë thirrje për pjesëmarrje në ato protesta dhe se nuk i takon kjo.



