
Sipas rezultateve të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti është në rrugë të mbarë për të formuar e vetme ekzekutivin e ri të Kosovës.
Analisti dhe profesori Sadri Ramabaja, në një intervistë për “MCN Live”, e cilëson këtë fitore si historike, duke theksuar se në javët e para të janarit pritet të formohet qeveria e re.
Lajmet më domethënëse lidhen me rezultatin plebishitar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, të cilat shënuan një kthesë të rëndësishme politike për vendin.
Kosova kaloi një krizë të thellë politike, strukturore dhe konceptuale, e imponuar për një periudhë të gjatë nga establishmenti politik.
Tashmë po hyjmë gradualisht në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe në javët e para të janarit do të kemi qeverinë e re.
Bëhet fjalë për një lexim më të qartë të historisë së fundit politike të Kosovës, ku të gjitha këto zhvillime kanë çuar në një rezultat plebishitar që i hap rrugë funksionalizimit të mëtejshëm të republikës.
Sipas tij, ky proces nisi më 14 shkurt 2021, si rezultat i një revolucioni demokratik të heshtur, dhe ka kulmuar me fitoren e tanishme të Vetëvendosjes.



