Në Kosovë u mbajt seanca konstituive e Kuvendit, e thirrur një ditë më parë nga Presidentja Vjosa Osmani. Me këtë rast u bë konstituimi i legjislaturës së re, duke hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, arriti të sigurojë 66 vota dhe u zgjodh në krye të këtij institucioni. Po ashtu, votëbesim morën edhe kandidatët e propozuar për nënkryetarë të Kuvendit.
Gjatë së njëjtës ditë, deputetët votuan mbrëmjen e së mërkurës edhe për qeverinë e re të Kosovës, me Albin Kurtin në postin e kryeministrit. Në fjalën e tij para Kuvendit, Kurti prezantoi përbërjen e kabinetit qeveritar dhe prioritetet e programit qeverisës.
Ai u ndal edhe te procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke e cilësuar si të padrejtë çdo përpjekje për t’i barazuar ata me regjimin e Sllobodan Millosheviçit.
Sipas tij, krimet kundër njerëzimit në Kosovë janë kryer nga regjimi serb, gjë që, siç theksoi, është e dokumentuar dhe e pranuar ndërkombëtarisht.
Kurti e quajti të papranueshëm barazimin mes ish-krerëve të UÇK-së dhe një regjimi që ai e cilësoi gjenocidal.
Pas miratimit të qeverisë, Albin Kurti bëri betimin si kryeministër i Kosovës, duke u zotuar se do ta ushtrojë detyrën me përkushtim dhe ndershmëri, do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit, si dhe do të punojë për përparimin e Republikës së Kosovës.
Kësisoj Albin Kurti u rizgjodh Kryeministër i Kosovës nga parlamenti i Prishtinës pasi partia e tij Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e parakohshme, duke i dhënë fund një viti ngërçi institucional.
Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 28 dhjetor, pasi Albin Kurti nuk arriti të siguronte shumicën pas zgjedhjeve të para në shkurt 2025.
Kurti më pas drejtoi një qeveri të përkohshme për dymbëdhjetë muaj.



