Driton Lajçi, avokat dhe ish-kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se pozita dhe opozita në Kosovë nuk po gjejnë dot gjuhën e përbashkët, për shkak të shumë sfidave me të cilat përballet vendi. Më shumë sesa çështje emrash, ngërçi politik sipas tij lidhet me inate të hershme mes dy forcave politike kundërshtare.
Nuk po duket në horizont se po dorëzohet dikush. Çështja është mjaft serioze. Kosova për nga situata ku është e veçantë, për shkak të sfidave të hapura që ka. Ka situatë unike për shumë arsye. Ka shumë sfida, të cilat nuk japin luksin e gjetjes së një zgjidhjeje politike.
Pozicioni i pozitës dhe opozitës është një lojë pingpongu. Thellimi i krizës është bërë pas akt-gjykimit të Kushtetueses, që dha një gjykim orientues.
Nuk besoj se është çështje emrash, gjinish apo numrash. Është çështje e dallimeve dhe inateve të mëhershme, të trashëguara sidomos mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK. Unë këtu po shoh se nuk duan që PDK ta kenë partner dhe aleat. Politika është arti i së mundshmes, por edhe i metodave dhe formave që nuk gjenden në teori. Ju e dini që as Gjykata Kushtetuese nuk ofroi zgjidhjen magjike.
Rrethi i jashtëm i sigurisë në Kosovë nuk është i diskutueshëm. KFOR, NATO e ruan kufirin e Kosovës. Por brenda kufijve ka probleme të ekonomisë dhe politikës. Por nuk mund të themi se mund të marrim shembull të mirë as nga Republika e Shqipërisë.



