Ish-konsulli i përgjithshëm në Gjenevë, Ramadan Avdiu, përshëndet miratimin nga Kuvendi i Kosovës të rezolutës në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se LDK nuk e ka matur mirë vendimin për të mos votuar.
Lidhur me gjykimin në Hagë, ai thotë se provat janë kryesisht të sajuara, duke e cilësuar maskaradë gjyqësore bazuar në provat e Serbisë.
Duhet përshëndetur rezoluta e Kuvendit të Kosovës që kërkohet nga dhomat e specializuara të gjykatës që të respektohen parimet ligjore dhe kushtetuese të Kosovës. Rezoluta nuk ka efekt juridik. Fatkeqësisht zyra e prokurorisë speciale nuk i ka ndjekur ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
Gjithë kjo maskaradë gjyqësore është një farsë. Me një rezolutë do të jetë e vështirë që të zhbëhet Prokuroria Speciale. Në vend të dënohet agresori, po dënohet viktima. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe çlirimtare dhe si rezultat i asaj lufte është dhe krijimi i shtetit të Kosovës. Lufta çlirimtare është vlera më e madhe kombëtare pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në 29 nëntor në 1912.
Qasja që ka pasur vendimi i LDK që të mos votojë më e shoh si veprim të pamatur mirë. Në pretencën e prokurorisë në Hagë flitet për 100 viktima, kryesisht shqiptarë. Sa i përket viktimave gjatë luftës UÇK ka pasur objekt aparatin represiv pushtues. UÇK nuk ka vrarë civilë, ka bërë luftë të drejtë. Sa i përket viktimave të paslutës ka raste që nuk janë ndriçuar akoma.
Provat e prokurorisë janë kryesisht të sajuara. Maskaradë gjyqësore se janë marrë për bazë provat nga Serbia dhe është dashur të jenë në bankën e të akuzuarve ata që kanë ushtruar gjenocid.



