
Partia Demokratike e Kosovës ka përsëritur kërkesën e saj për rivotim në Mitrovicën e Jugut, duke dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, PDK-ja e ka cilësuar vendimin e PZAP-së si të gabuar, duke theksuar se “procesi është cenuar dhe vullneti i qytetarëve është ndryshuar”.
“Me kërkesën drejtuar Gjykatës Supreme, PDK-ja kërkon shqyrtim të plotë të çështjes dhe marrjen e një vendimi që garanton integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës”, thuhet në njoftim.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e kishte hedhur poshtë të premten një kërkesën e PDK-së për përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut pas pretendimeve për parregullsi.
PZAP-ja theksoi se kërkesa e PDK-së ishte e “pabazuar”, duke shtuar se kjo parti “nuk ka prezantuar prova për të dëshmuar këto parregullsi".
Garën për Mitrovicën e Jugut e fitoi në balotazh më 9 nëntor Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje, me 53.47% të votave, kundër Arian Tahirit të PDK-së, i cili i mori 46.53% të votave, me një diferencë prej 2 mijë e 315 votash.
Një ditë pas votimeve në balotazh, komisionerët PDK-së dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Mitrovicë të Jugut u tërhoqën nga procesi i verifikimit të votave me dyshimet për keqpërdorim.
Këta komisionerë kishin hasur në fletëvotime me kod të vendvotimit që nuk përputhej me vendvotimin prej nga ato vinin. Më vonë u kuptua se bëhej fjalë për 75 fletëvotime të tilla.
Me urdhër të prokurorisë, verifikimi u ndalua dhe rifilloi vetëm një ditë më vonë, sërish me vendim të prokurorisë.
Pak pas verifikimit të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi një rekomandim për themelimin e një komisioni për vlerësimin e fletëvotimeve dhe përputhjes së numrit të tyre në vendvotimet në Mitrovicën e Jugut.
PDK-ja u ankua në PZAP se, përveç fletëvotimeve që ishin gjetur të përziera ndërmjet klasave dhe shkollave të ndryshme, në shpërputhje me kodet unike të vendvotimeve, pjesëmarrja e votuesve në balotazh ishte më e lartë se ajo në rundin e parë më 12 tetor.
Ajo ishte ankuar gjithashtu se gjatë procesit të numërimit janë hasur shumë fletëvotime të pavulosura, ndërsa disa të tjera janë gjetur të vulosura dy herë.
PZAP-ja shtoi se pretendimet e PDK-së janë të pabazuara, duke qenë se KQZ-ja ka formuar komision për verifikimin e fletëvotimeve të dyshimta, dhe se kompania përgjegjëse për shtypjen e tyre ka sqaruar se bëhet fjalë për “gabim teknik”.



