Pas 12 orësh të ngujuar, nxirren nga galeria 18 minatorët e Trepçës

Pas 12 orësh të ngujuar, nxirren nga galeria 18 minatorët e Trepçës

 

18 mbetën të ngujuar për rreth 12 orë në një nga minierat më të mëdha të plumbit dhe zinkut në Kosovë, në Stantërg afër Mitrovicës, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke nxitur autoritetet të nisin hetime për të zbuluar shkakun e incidentit.

 

Minatorët kishin mbetur qindra metra nën tokë nga ora 01:30 deri rreth orës 11:00 të së enjtes, njoftoi gjiganti metalurgjik Trepça.

 

Më vonë, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bëri të ditur në Facebook se të gjithë minatorët e ngujuar dolën të sigurt dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

 

Sipas ndërmarrjes, në momentin e ndërprerjes së energjisë në minierë ndodheshin 47 punëtorë, ndërsa 29 prej tyre arritën të largoheshin dhe të dilnin në sipërfaqe.

 

“Sipas informatave nga terreni, në hyrje të trafostacionit në flotacion është shkëputur një përcjellës i linjës. Si pasojë janë dëmtuar izolatorët përcjellës, duke shkaktuar djegie në trafon që furnizon flotacionin me energji elektrike. Gjithashtu, janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet e tjera përcjellëse në trafostacion”, thuhet në njoftim.

 

Ndërmarrja bëri të ditur se punëtorët e bllokuar në Stantërg nuk pësuan lëndime, ndërsa ekipet po punonin për rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

 

Ekipet e Trepçës dhe KEDS punuan për të riparuar problemin, në mënyrë që minatorët të mund të dilnin me ashensorë.

 

Edhe në të kaluarën, në minierat e Trepçës ka pasur raste të ngujimit të minatorëve për shkak të problemeve me energjinë elektrike apo vështirësive të tjera teknike.

 

Kompleksi metalurgjik Trepça funksionon si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve i përkasin Qeverisë së Kosovës, ndërsa 20 për qind punonjësve të ndërmarrjes.

 

Sindikatat e minatorëve kanë ngritur shpesh shqetësime për mungesën e mjeteve adekuate të punës dhe kushtet e rrezikshme në të cilat ata punojnë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy