Pas më shumë se tre vitesh proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, pritet shpallja e aktgjykimit për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat pretendohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë.
Të katërt ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020 dhe kanë mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat.
Trupi Gjykues kishte parashikuar fillimisht shpalljen e vendimit deri më 19 maj, por për shkak të kompleksitetit të çështjes afati u shty deri më 20 korrik 2026.
Megjithatë, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se nuk përjashtohet një shtyrje e re, nëse gjyqtarët e konsiderojnë të nevojshme.
Në përfundim të procesit, Prokuroria ka kërkuar dënimin e secilit prej të akuzuarve me nga 45 vjet burg, duke argumentuar se ata kanë qenë pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe mbajnë përgjegjësi për krimet e kryera gjatë konfliktit.
Nga ana tjetër, mbrojtja i ka cilësuar akuzat të pabazuara. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka quajtur ato "krejtësisht të pavërteta, absurde dhe thellësisht fyese", ndërsa gjatë gjykimit në favor të mbrojtjes kanë dëshmuar edhe ish-zyrtarë të lartë perëndimorë, mes tyre James Rubin dhe ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark.
Ekspertët juridikë mbeten të ndarë për rezultatin e procesit.
Disa vlerësojnë se Prokuroria nuk ka arritur të provojë përgjegjësinë penale të të akuzuarve dhe presin një vendim lirues, ndërsa të tjerë nuk përjashtojnë një vendim të përzier, ku disa prej të akuzuarve mund të shpallen fajtorë dhe të tjerë të pafajshëm.
Aktgjykimi pritet të ketë ndikim jo vetëm në aspektin juridik, por edhe në debatin politik e historik për luftën e Kosovës, duke qenë se procesi ka ngjallur diskutime të shumta brenda dhe jashtë vendit mbi drejtësinë, përgjegjësinë individuale dhe mënyrën e interpretimit të konfliktit të viteve 1998-1999.



