Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare pas procesit të rinumërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor në Kosovë.
Njëkohësisht, KQZ nuk ka miratuar përbërjen e Listës Serbe, për shkak të mospërmbushjes së kritereve ligjore të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe.
KQZ-ja ka ndarë në tri votime shpalljen e rezultateve, në votimin e parë ka përfshirë të gjitha partitë e në të dytin kanë votuar vetëm për shpalljen e rezultateve për Listën Serbe me 3 vota për, dy kundër, si dhe për KDTP, për të cilën u ankuan se nuk e ka respektuar kuotën gjinore dhe votuan pro 9 anëtarë.
Kjo pasi anëtarët e Vetëvendosjes deklaruan se nuk do të votojnë për Listën Serbe. Ndërkaq, anëtari i PDK-së, Arianit Elshani, tha se do të abstenojnë për këtë parti.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se nuk janë duke bërë shkelje të ligjit lidhur me shpalljen e rezultateve para përfundimit të afatit 48-orësh për ankesa lidhur me administrimin e procedurave të numërimit në QNR.
Radoniqi prezantoi rezultatet sipas subjekteve politike dhe numrin e ulëseve të fituara në Kuvend.
Rezultaet e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, është si në vijim: Lëvizja Vetëvendosje 51.10%, Partia Demokratike e Kosovës 20.19%, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50%, Srpska Lista 4.49%, Nisma Socialdemokrate 1.59%, Kosovah Demokratik Türk Partisi 0.57%, Za Slobodu Pravdu i Opstanak 0.51%, Koalicija Vakat 0.42%, Nova Demokratska Stranka 0.41%, Inicijativa E Re Demokratike e Kosovës 0.21%, Socijal Demokratska Unija 0.27%, Partia Liberale Egjiptiane 0.24%, P-S-A 0.22%, P-A-I P-D-A-K L-P-P 0.21%, Jedinstvena Goranska Partija 0.16%, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës 0.12%, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës 0.10%. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës 0.10%, Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar 0.10%, Fjala 0.09%, Inisitiativa Qytetare për Kosovë 0.08%, Kosovski Savez 0.06%, Nexhmedin Sejdillar 0.03%, Kosovaki Nevi Romani Partia 0.02%.
Në vijim kemi subjektet dhe ulëset që kanë fituar dhe kandidatët. Atëherë, Lëvizja Vetëvendosje me 57 ulëse të fituara, PDK ka fitura 22 ulse, nga LDK ka fituar 15 ulse, AAK 6 ulse.
Një veprim i tillë pritet të zvarrisë edhe me tej procesin e certifikimit të rezultateve të 28 dhjetorit. Kjo sepse tani Lista Serbe do të ankohen në PZAP për këtë votim.



