
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë për të mos certifikuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe ka nxitur reagime të forta, përfshirë ato të Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe të Bashkimit Evropian.
Analisti politik nga Kosova, Faton Mehmeti, në një analizë për edicionin e lajmeve në MCN TV, e cilëson moscertifikimin e Listës Serbe si një veprim populist dhe të panevojshëm, që sipas tij lidhet më shumë me një garë politike brenda partive shqiptare sesa me respektimin e ligjit.
Nuk është hera e parë që KQZ merr një vendim të tillë.
Pritet që edhe këtë herë KZAP ta rrëzojë vendimin e KQZ-së dhe ta rikthejë atë, duke urdhëruar regjistrimin e Listës Serbe.
Sipas tij, ky vendim nuk sjell asnjë përfitim real dhe shërben vetëm si një formë populizmi politik.
Është një garë mes subjekteve shqiptare për të treguar se kush është më ‘patriot’. Në fund të fundit, vendimi është antikushtetues dhe kjo do të kuptohet edhe nga KZAP.
Ndonëse ekziston një konsensus i gjerë se Lista Serbe ka shkaktuar dëme serioze ndaj shtetit të Kosovës dhe ka ushtruar presion politik e institucional, largimi i saj nga procesi politik nuk mund të bëhet përmes vendimeve administrative.
Nëse ka shkelje apo përgjegjësi penale, çështja duhet të trajtohet nga organet e drejtësisë. Përndryshe, e gjithë kjo histori mbetet një populizëm i panevojshëm.



