Analisti Argjend Zjenaj kërkon që për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, Kryeministri Albin Kurti të lëshojë pe ndaj opozitës, në mënyrë që të zhbllokohet situata.
Duke folur për “MCN Live” ai deklaroi se Kushtetuta parashikon që 80 deputetë të votojnë për zgjedhjen e Presidentit, por se mazhoranca nuk i ka vetë votat.
Sipas tij, Kosova është larg zgjedhjes së Presidentit, pasi nuk po thirret as seanca, për shkak se nuk ka një kandidaturë të dytë.
Çështja e Presidentit po bëhet çështje e rëndësishme, pasi në vetvete pozita e Presidentit nuk mban ndonjë pozicion ekzekutiv. Është një pozitë që ka të bëjë më shumë me pjesën protokollare dhe përfaqësimin e Kosovës në politikën e jashtme në bashkëpunim me ekzekutivin. Zonja Osmani dhe Kryeministri Kurti janë të ndarë.
Kushtetuta parashikon që në Kuvend të ketë 80 deputetë për të votuar për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa mazhoranca nuk i ka vetë votat.
Lëvizja Vetëvendosje duhet të lëshonte pe në raport me opozitën dhe të jepte shans që Presidenti t’i takonte opozitës ose shoqërisë civile dhe mos t’i takonte Vetëvendosjes, siç kanë propozuar zotin Glauk Konjufca, pasi në këtë rast do i humbte shija demokracisë, për të mos thënë që do të mbytej. Se që pas lufte nuk ka ndodhur që një parti të ketë të trija pozicionet kyçe, Kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe Presidentin.
I takon zotit Kurti që të lëshojë pe. Sot jemi në një situatë ku më e sigurt është fillimi i një ngërçi si vitin e kaluar, për qeverinë. Mund të hapet seanca për zgjedhjen e Presidentit, mund të mos mbyllet për 60 ditë, dhe më pas mund të shpallen zgjedhjet e parakohshme, nëse nuk zgjidhet Presidenti.
Për 60 ditë qeveria e Albin Kurtit dhe aktorët e tjerë politikë do ia hedhin fajin njeri-tjetrit për arsyen pse nuk po zgjidhet Presidenti. Jemi larg zgjedhjes së Presidentit, pasi nuk po thirret as seanca, për shkak se nuk po del as një kandidaturë e dytë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota.
Një kandidat duhet të sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve për të hyrë në garë.



