
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav, zhvilluan sot takime të ndara me kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, për të diskutuar ngërçin politik që po ndikon në konstituimin e plotë të organit ligjvënës dhe në funksionimin institucional të vendit.
Pas takimit me Bashën, ambasadori Hargreaves deklaroi se është jetike që Kuvendi të konstituohet plotësisht sa më parë, duke respektuar të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“U pajtuam mbi rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit sa më shpejt që të jetë e mundur, në përputhje me vendimet e Kushtetueses,” shkroi Hargreaves në një postim në rrjete sociale.
Ndërkohë, Dimal Basha konfirmoi në një postim të tij se diskutimet me ambasadorin britanik u fokusuan në zhvillimet politike të fundit dhe përmbylljen e seancës konstituive, që ka ngjallur debate të forta në vend.
Më vonë gjatë ditës, Basha u takua edhe me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav. Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, u diskutua mbi rëndësinë e një legjislature funksionale dhe efektive për proceset integruese drejt BE-së.
Në një deklaratë në platformën X (ish-Twitter), Orav tha se theksi u vu te nevoja për respektimin e proceseve kushtetuese dhe për sigurimin e institucioneve gjithëpërfshirëse dhe shumetnike.
“Formimi i komiteteve parlamentare dhe qeveritare është thelbësor për avancimin e Planit të Rritjes. BE-ja është këtu për të mbështetur Kosovën,” shkroi Orav.
Procesi i konstituimit të Kuvendit ka hasur në pengesa dhe është shoqëruar me akuza për shkelje të Kushtetutës, veçanërisht në lidhje me moszgjidhjen e njërit prej nënkryetarëve të Kuvendit, që sipas ligjit duhet të vijë nga komuniteti serb.
Basha shpalli njëanshëm të përfunduar seancën konstituive, megjithëse nuk ishte zgjedhur ende nënkryetari i pestë. Katër janë zgjedhur – tre shqiptarë dhe një përfaqësues i komuniteteve joserbe – ndërsa kandidati i komunitetit serb nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave.
Ky veprim u kritikua nga disa parti parlamentare, ndërsa Lista Serbe ka deponuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar përfundimin e seancës si të paligjshëm dhe në kundërshtim me rendin kushtetues.



