Nga sot ka hyrë në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili pezullon çdo veprim të deputetëve të sapozgjedhur në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit.
Ky vendim vjen pas dështimit për herë të 54-të për të konstituuar organin ligjvënës të vendit.
Tentativa e fundit u bë mbrëmë, në prag të përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Kushtetuesja.
Me vendimin e ri, gjykata ka vendosur masë të përkohshme, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 27 korrik deri më 8 gusht. Gjatë kësaj periudhe pritet një vendim përfundimtar për të zgjidhur ngërçin institucional.
Në njoftimin zyrtar, Gjykata Kushtetuese thekson se masa është vendosur ex officio, me arsyetimin se çdo veprim pas kësaj date mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe”.
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun për postin e Kryetares së Kuvendit, por ajo nuk ka siguruar mbështetjen e nevojshme nga subjektet e tjera politike. Opozita ka deklaruar publikisht se Haxhiu nuk është e përshtatshme për këtë detyrë.
Ndërkohë, njohës të çështjeve politike paralajmërojnë se nëse bllokada nuk zgjidhet, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, pas disa muajsh të krizës institucionale.



