Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, i ka bërë thirrje Serbisë që të përballet me realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe fqinjësore, por sipas tij, pengesa kryesore në këtë proces vazhdon të jetë Serbia.
“Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia, e cila as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe as të ecë drejt anëtarësimit në BE,” ka deklaruar ai.
Ai i bëri thirrje Beogradit që të ballafaqohet me realitetin dhe të njohë Kosovën, duke shtuar se veprimet e Serbisë po mbajnë peng të gjithë rajonin.
Si Kosova, ashtu edhe BE-ja kanë bërë thirrje për vendosjen e llogaridhënies për këto tri vjet. Beogradi i ka trajnuar dhe tani i mbron kryerësit e këtij akti terrorist.
Nuk mund t’i besojmë Serbisë dhe nuk mund të normalizojmë marrëdhëniet pa llogaridhënie të qartë dhe garanci për ndalimin e agresionit.
Nëse raporti i UNMIK-ut do të ishte më i balancuar dhe më i saktë, ai do të pasqyronte zhvillimet në të gjithë rajonin, sidomos qasjen autoritare dhe destruktive të Beogradit.
Në fjalën e tij, Konjufca akuzoi Beogradin për ndërhyrje në proceset demokratike në Kosovë, përfshirë përpjekjet për të ndikuar në zgjedhje përmes mbështetjes së Listës Serbe.
Konjufca përfundoi duke theksuar se, pavarësisht sfidave, Kosova do të vazhdojë të mbrojë rendin demokratik dhe sovranitetin e saj.



