
Autoritetet e Kosovës morën një ditë më parë nën kontroll objektet dhe pronat hekurudhore në Zveçan dhe Leposaviq, komuna të banuara me shumicë serbe në veri të vendit.
Analisti Hisen Berisha, në një intervistë për “MCN Live”, e cilësoi këtë zhvillim më shumë si një veprim populist paraelektoral nga ana e qeverisë Kurti, sesa si një arritje reale institucionale.
Kjo duhet parë në prizmin normal të shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në të gjithë territorin e saj.
Është detyrim kushtetues i institucioneve të Kosovës dhe nuk ka nevojë të shoqërohet me gjithë këtë bujë apo të trajtohet si një fitore lufte.
Këto veprime po paraqiten sikur po pushtohen territore apo po zhvillohet një luftë për çlirim territori.
Kosova është shtet i pavarur dhe sovran që nga viti 2008, i njohur nga SHBA dhe aleatët ndërkombëtarë brenda kufijve ekzistues.
Berisha theksoi se në kuadër të dialogut me Serbinë ekzistojnë dhjetëra marrëveshje teknike që duhet të zbatohen, përfshirë edhe shtrirjen e institucioneve të Kosovës në veri, siç janë hekurudhat.
Një ndër këto marrëveshje lidhet pikërisht me shpërbërjen e strukturave paralele dhe funksionimin normal të institucioneve shtetërore në të gjithë territorin e Kosovës.
Vetë situata në terren tregon mungesën e investimeve dhe karakterin simbolik të aksionit.
Stacioni i Zveçanit është pjesë e territorit të Kosovës dhe pjesë e sistemit hekurudhor të vendit, i cili prej vitesh ndodhet në gjendje të rënduar.
Vetë gjendja e hekurudhës tregon se kemi të bëjmë me një veprim me prapavijë populiste paraelektorale.
Institucionet duhet të fokusohen te rikthimi i funksionalitetit normal të infrastrukturës dhe jo te paraqitja e këtyre zhvillimeve si “fitore betejash politike”.



