Dimal Basha është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke i dhënë fund ngërçit institucional që kishte bllokuar funksionimin normal të këtij institucioni.
Ai u zgjodh me 73 vota pro, ndërsa 30 deputetë votuan kundër.
Pro emrit të Bashës votuan edhe disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, me përjashtim të Ganimete Musliut, Nait Hasanit dhe Fadil Demakut.
Ndër ata që mbështetën kandidaturën ishin edhe Daut Haradinaj, Lahi Brahimaj, Bekë Berisha dhe Arben Gashi , ndërsa LDK dhe Lista Serbe u shprehën kundër.
Zgjedhja e tij i hap rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re pas një krize të gjatë politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Basha, fill pas zgjedhjes ka mbajtur edhe fjalën e parë si kryetar i Kuvendit.
Sot kjo republikë qëndron e pavarur edhe falë ndihmës së shteteve mike në krye me SHBA-në.
Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e ka parë më herët. Por mos harroni, që me gjithë betejat, besoj që ka qenë shkollë që i ka shërbyer demokracisë dhe emancipimit të shoqërisë.
Ky institucion është zemra e demokracisë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica se liria e shtetit, janë më të mëdha se çdo interes.
Është e ndërtuar mbi sakrifica, mundin, gjakun e qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se e ardhmja tyre.
Një përulje u takon grave, nënave, tona që ofruan dashuri e përkushtim, ishin e mbeten themeli i një shoqërie të shëndoshë.
Kjo ishte hera e dytë që emri i Dimal Bashës u propozua për kryetar parlamenti dhe në total, ai ishte kandidati i pestë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, pas Albulena Haxhiut, Donika Gërvallës, Hekuran Muratit dhe Arbërie Nagavcit, asnjëri prej të cilëve nuk arriti të marrë më shumë se 57 vota.
Kush është Dimal Basha:
Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.
Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”
Dimali gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në New York.
Me një përvojë të pasur profesionale, Dimali ka punuar në zyrën e ish-Kongresmenit Eliot Engel, si dhe si Analist i të Dhënave Kualitative në Gjykatën Federale të ShBA-së.
Përveç kësaj, ai ka ushtruar një karrierë të suksesshme menaxheriale në Angli dhe ShBA.
Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate, duke përfaqësuar Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.



