
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të enjten Millosh Plleskoviqin me 15 vjet burgim, nën akuzat për krime lufte në Kosovë.
Sipas aktgjykimit, Pleskoviç është shpallur fajtor për pjesëmarrje në vrasjen e tre civilëve shqiptarë – R.D., B.D. dhe F.B. – ngjarje që kishte ndodhur më 1 shtator 1998 në Prizren.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 7 qershor 2024, Pleskoviç akuzohet se më 1 shtator 1998, në bashkëkryerje me një grup të armatosur prej 7-8 personash të nacionalitetit serb, ka marrë pjesë në vrasjen e tre civilëve shqiptarë: R.D., B.D. dhe F.B., si dhe plagosjen e të mbijetuarve Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati.
Ngjarja ka ndodhur në Prizren, derisa viktimat po shkonin drejt malit.
Sipas aktakuzës, grupi i armatosur serb i kishte ndalur dhe fyer me fjalë në gjuhën serbe, ndërsa Pleskoviç, i identifikuar si pjesëtar i këtij grupi, kishte hapur zjarr me armë të tipit “Kallashnikov”, duke lënë të vdekur tre nga viktimat në vendin e ngjarjes.
Detajet e aktakuzës përshkruajnë një skenë të rëndë: trupat e pajetë të viktimave u ishin dorëzuar familjarëve vetëm pas një jave, në gjendje të rëndë. Njëri prej tyre kishte këmbën e prerë, ndërsa një tjetër nuk kishte kokë.
Prokuroria Speciale Kosovës e ka mirëpritur aktgjykimin, duke thënë se ai "përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë për viktimat dhe familjarët e tyre".
Avokati i viktimave, Gent Gjini, ka thënë pas aktgjykimit se vendimi i shqiptuar është shumë i ulët.
Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.



