Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar diplomatin gjerman Dirk Schubel si Përfaqësues të Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Schubel do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me një mandat fillestar dyvjeçar, duke pasuar diplomatin estonez Aivo Orav.
Sipas njoftimit të Këshillit të BE-së, Schubel është një diplomat me përvojë të gjatë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
“Dirk Schubel është një shtetas gjerman dhe diplomat i lartë evropian me përvojë të gjerë në pozita udhëheqëse në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë”, thuhet në njoftim.
Aktualisht, Schubel shërben si shef i Divizionit për Rusinë në EEAS. Më herët ai ka qenë i dërguar i posaçëm i BE-së për Partneritetin Lindor, si dhe shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi dhe Moldavi.
Këshilli i BE-së bëri të ditur se mandati i tij do të përqendrohet në mbështetjen e stabilitetit, demokracisë dhe perspektivës evropiane të Kosovës.
“Mandati i Përfaqësuesit Special fokusohet në promovimin e një Kosove stabile, demokratike dhe multietnike, duke mbështetur perspektivën e saj evropiane përmes komunikimit publik dhe angazhimit të synuar”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Schubel do të ketë përgjegjësi për monitorimin e progresit në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe koordinimin e angazhimit politik të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ai do të ofrojë gjithashtu udhëzime politike për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe do të mbështesë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me synim avancimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.



