Nëntë persona që kishin udhëtuar drejt Kosovës në kuadër të një delegacioni zyrtar nga Somalia janë zhdukur pa gjurmë dhe nuk janë kthyer në vendin e tyre së bashku me zyrtarët e lartë, duke shkaktuar shqetësim diplomatik dhe hetime në të dyja shtetet.
Sipas raportimeve të medias somaleze “Garowe Online”, delegacioni i kryesuar nga ministri i Shtetit për Punë Publike, Banesa dhe Rindërtim, Said Mohamed Mohamud, dhe zëvendësministrja e Porteve, Fartuun Abdikadir Farah, kishte mbërritur në Kosovë më 25 tetor 2026 përmes një fluturimi të kompanisë “Turkish Airlines”.
Megjithatë, gjatë qëndrimit në Prishtinë, lëvizjet e nëntë anëtarëve të delegacionit morën një drejtim tjetër.
Më 27 tetor, rreth orës 19:10, ata u larguan në mënyrë të pavarur nga kompleksi ku ishin akomoduar (“Dua Village”), pa njoftuar autoritetet kosovare përgjegjëse për shoqërimin e tyre.
Të nesërmen, më 28 tetor, ministri dhe zëvendësministrja u larguan nga Kosova sipas planit, ndërsa nëntë personat e tjerë nuk u paraqitën fare në terminalin VIP të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Pas kësaj ngjarjeje, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i dërgoi një notë verbale Qeverisë së Somalisë më 30 tetor, ku shpreh shqetësimin e thellë dhe kërkon sqarime për vendndodhjen dhe gjendjen e nëntë shtetasve somalezë.
Në dokumentin e publikuar thuhet se, bazuar në hetimet paraprake, ata dyshohet se kanë udhëtuar fillimisht drejt ndonjë lokacioni tjetër brenda Kosovës, por nuk ka informacione të konfirmuara për vendndodhjen e tyre aktuale.
Ndërkohë, skandali ka sjellë pasoja të menjëhershme në institucionet somaleze.
Dy zyrtarë të qeverisë federale janë shkarkuar nën dyshimet se kanë lehtësuar udhëtimin e këtyre personave kundrejt pagesave të paligjshme.
Mediat somaleze raportojnë se nëntë anëtarët e zhdukur dyshohet se kanë vijuar rrugëtimin drejt vendeve të tjera evropiane për të kërkuar azil, informacion i cili ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
