Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u ka bërë thirrje dy partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që të propozojnë tre kandidatë jopartiakë për postin e presidentit të ardhshëm të vendit.
Në këmbim, LVV ka ofruar sigurimin e nënshkrimeve të nevojshme të deputetëve të saj, si dhe tërheqjen e kandidaturave të Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut.
Në një njoftim të bërë të shtunën, pas mbledhjes së Kryesisë një natë më parë, LVV theksoi se ky është “një hap i ri, konkret dhe përbashkues” për tejkalimin e ngërçit politik.
Sipas ftesës, kandidatët e propozuar duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar profesional dhe shoqëror, si dhe jashtë skenës aktuale politike.
Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet presidenti i ri nga legjislatura e dhjetë.
Për këta kandidatë do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Me këtë rast, do të tërhiqeshin paraprakisht kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka zhvilluar disa takime me drejtuesit e PDK-së dhe LDK-së, por pa arritur marrëveshje.
Opozita e akuzon atë për përpjekje për të mbajtur të gjitha pozitat kyçe, ndërsa Kurti ka deklaruar se ka ofruar edhe poste qeveritare apo postin e kryeparlamentarit në këmbim të votave për presidentin.
Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit, në të kundërt vendi do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Për shkak të këtij afati, LVV pret përgjigje nga PDK dhe LDK deri të dielën në mbrëmje, më 26 prill.
Procesi për zgjedhjen e presidentit ka hyrë në një fazë kritike, pasi ligjvënësit kanë pasur mbi një muaj kohë për të arritur një marrëveshje, që nga 25 marsi.
Kjo pasoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi dekretin e ish-presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit më 5 mars.
Sipas procedurave, presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota.
Megjithatë, për vlefshmërinë e procesit, në sallë duhet të jenë të paktën 80 deputetë.
Afati përfundimtar mbetet 28 prilli.
Nëse deri atëherë nuk zgjidhet presidenti, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.



