
Platforma “World Atlas” ka publikuar listën e 10 vendeve më të varfra në Evropë, bazuar në të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Sipas të dhënave për vitin 2025, Kosova është renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë, menjëherë pas Moldavisë.
Matja është realizuar mbi bazën e barazisë së fuqisë blerëse (PPP).
Sipas publikimit, renditja e këtij viti reflekton dy ndryshime të rëndësishme krahasuar me vitet e mëparshme: rënien ekonomike të Ukrainës pas pushtimit të plotë nga Rusia në vitin 2022, si dhe pozicionimin e Kosovës ndër vendet më të varfra të kontinentit.
Megjithatë, edhe në këtë klasifikim, Ukraina renditet pas Kosovës për nivelin e varfërisë.
Ndërkohë, Shqipëria renditet në vendin e pestë në Evropë për nivelin e varfërisë, ndërsa Serbia mban vendin e tetë në këtë listë.
Renditjet e "World Atlas" përdorin bazën e të dhënave të Pasqyrës Ekonomike Botërore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (publikimi i tetorit 2025, me vlerësimet për vitin 2025) dhe mat PBB-në për frymë mbi bazën e paritetit të fuqisë blerëse (PFB), të shprehur në dollarë.
10 vendet më të varfëra në Evropë:
Moldavia — rreth 19,700 dollarë, Kosova — rreth 20,400 $, Ukraina — rreth 21,000 $, Bosnja dhe Hercegovina — rreth 22,800 $, Maqedonia e Veriut — rreth 24,300 $, Bjellorusia — rreth 25,500 $, Shqipëria — rreth 25,600 $, Serbia — rreth 28,500 $, Mali i Zi — rreth 31,000 $ dhe Bullgaria — rreth 36,000 $.
Në përshkrimin për Kosovën thuhet që ka ekonomi të vogël dhe të orientuar kryesisht nga sektori i shërbimeve, ku ndërtimtaria, tregtia dhe remitencat përbëjnë pjesën më të madhe të aktivitetit ekonomik.
Remitencat nga diaspora kosovare janë të përqendruara kryesisht në Gjermani, Zvicër dhe Austri, e që arrijnë rreth 15% të GDP-së, një nga nivelet më të larta në botë.
Rritja reale ekonomike ka qenë mesatarisht rreth 4% gjatë pesë vjetëve të fundit, por papunësia e të rinjve mbetet afër 30%, ndërsa një e treta e të rinjve nuk janë as në punë, as në arsim apo trajnim.
Njohja e kufizuar ndërkombëtare e Kosovës (rreth 100 shtete anëtare të OKB-së e njohin; ndërsa Rusia, Kina, India, Spanja dhe Greqia nuk e njohin) kufizon qasjen në institucione ndërkombëtare dhe ngadalëson investimet e huaja.



