Reshjet e mëdha të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete të Kosovës, duke dëmtuar prona dhe infrastrukturë, shkaktuar evakuime dhe vështirësi në komunikacion në shumë pjesë të vendit.
Si pasojë e situatës së krijuar, rifillimi i mësimit pas pushimit dimëror është shtyrë në gjithë vendin. Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, njoftoi se orët e parashikuara për të rifilluar sot, shtyhen për të hënën, më 12 janar.
Ajo bëri të ditur se orët e humbura gjatë ditëve të enjtes dhe të premtes do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME), komunat më të prekura nga vërshimet janë Fushë-Kosova, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaji dhe Gjakova. Përveç dëmeve në prona, në disa zona u regjistruan edhe evakuime të banorëve nga shtëpitë e tyre.
Në Gjakovë, për shembull, është kërkuar ndihmë për evakuimin e mbi 20 familjeve, në koordinim me Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Në shumicën e komunave të tjera, situata raportohet relativisht e qetë, ndërsa monitorimi vijon në mënyrë të vazhdueshme.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njoftoi se reshjet e pandërprera kanë shkaktuar daljen nga shtretërit e tyre të lumenjve dhe përrenjve në qytete si Gjakova, Juniku, Deçani, Malisheva, Rahoveci dhe Klina. AME thekson se situata, megjithëse kritike në disa pika, është “e menaxhueshme dhe e lokalizuar”.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin udhëzimet dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e përmbytura.



