
Pas tubimeve të shumta në Kosovë dhe në qytete të ndryshme perëndimore, vala e protestave në mbrojtje të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është zhvendosur sot edhe në Bruksel. Grumbullimi masiv u mbajt në sheshin "Schuman", pikërisht në zonën ku ndodhen institucionet qendrore të Bashkimit Evropian, si Komisioni Evropian, Këshilli i BE-së dhe Shërbimi i Jashtëm (EEAS).
Me parullat "Jo në emrin tim" (Not in my name), protestuesit kundërshtuan vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila dënoi katërshen e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimi me një total prej 81 vitesh burgim.
Pjesëmarrësit kërkuan që të respektohet lufta e drejtë dhe çlirimtare e popullit të Kosovës, duke hedhur poshtë çdo tentativë për ta cilësuar UÇK-në si një "ndërmarrje të përbashkët kriminale".
Gjatë fjalimeve, oratorët kujtuan se shumë kombe evropiane kanë luftuar historikisht për lirinë e tyre dhe përpjekjet e tyre mbrojtëse nuk janë kriminalizuar asnjëherë.
Ata i bënë thirrje BE-së që të garantojë një proces gjyqësor të drejtë në shkallët e apelit, si dhe të ndërpresë financimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ky tubim vjen në një moment tensionesh politike, pasi Kuvendi i Kosovës miratoi së fundmi ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale me qëllim kufizimin e kompetencave të saj.
Ky votim solli reagimin e menjëhershëm të Bashkimit Evropian, i cili shprehu shqetësim të thellë duke deklaruar se amendamentet bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Prishtinës.
Tashmë, me funksionimin e plotë të institucioneve të reja në Kosovë, pritet të nisë një dialog diplomatik me Brukselin për të sqaruar rolin e ardhshëm të kësaj gjykate.



