
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë sërish forca e parë politike në zgjedhjet parlamentare, duke siguruar rreth 43.05 për qind të votave. Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, partia pritet të ketë rreth nëntë deputetë më pak në Kuvend.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar rritje të dukshme, duke kaluar nga rreth 13 për qind në zgjedhjet e mëparshme në afro 18 për qind, që përkthehet në rreth 20 mandate parlamentare.
Drejtori i STORM-RSK, Argjend Zejnaj, në një analizë për “MCN Live”, tha se rezultatet tregojnë se asnjëra prej partive nuk ka arsye për festë të plotë, duke i cilësuar ato si “fitore të Pirros”.
Të gjitha partitë politike, në një mënyrë ose tjetër, e festuan mbrëmë rezultatin, por secila po feston ‘një fitore të Pirros’.
Kjo vlen si për partinë e parë, Vetëvendosjen, ashtu edhe për subjektet e tjera politike.
Humbësen më të madhe të këtyre zgjedhjeve e përfaqëson vetë Vetëvendosja, e cila, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kontribuoi në krijimin e situatës që e çoi vendin në zgjedhjet e treta kombëtare brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Kjo situatë është produkt i veprimeve të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.
Tandemi që dikur mundësoi përmbysjen e partive tradicionale, sot është po ai që e ka sjellë Kosovën në zgjedhje të përsëritura dhe krizë institucionale.
Zejnaj vlerësoi se rezultati zgjedhor dëshmon se partitë politike nuk po i kushtojnë vëmendjen e duhur sfidave me të cilat përballet vendi, përfshirë raportet me partnerët ndërkombëtarë, izolimin politik dhe zhvillimin ekonomik.
Ai komentoi edhe qëndrimin e LDK-së pas zgjedhjeve, duke thënë se deklaratat e bëra nga drejtuesit e saj lënë të kuptohet se ekziston gatishmëri për bashkëpunim me Vetëvendosjen.
LDK-ja, së bashku me Vjosa Osmanin, duket se e ka hapur derën për një koalicion të mundshëm.
Kur menjëherë pas publikimit të rezultateve paraprake i drejtohesh partisë së parë me mesazhin se nuk ka arsye për të refuzuar bashkëpunimin, kjo është një ftesë politike e qartë.
Po shohim liderë që mendojnë më shumë për të ardhmen e tyre politike sesa për të ardhmen e Kosovës, qoftë në aspektin diplomatik, ekonomik apo në raport me izolimin që vendi ka përjetuar gjatë viteve të fundit.



