
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet në fillim të muajit gusht, brenda afatit kushtetues që përfundon më 7 gusht.
Haxhiu tha se ka vendosur t'u japë më shumë kohë partive politike për të zhvilluar takime dhe për të arritur një marrëveshje përpara thirrjes së seancës.
"Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të mbahet seanca konstituive. Javën e ardhshme do ta bëjmë publike datën dhe orën e saktë të mbajtjes së saj", deklaroi ajo.
Sipas Haxhiut, pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, ndaj është e rëndësishme që partitë të arrijnë një marrëveshje politike për të shmangur një krizë të re institucionale.
Ajo paralajmëroi se vendi nuk duhet të përballet me rrezikun e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për shkak të mungesës së konsensusit për zgjedhjen e kreut të shtetit.
"Kam vlerësuar se duhet t'u jap partive kohë në dispozicion për të arritur një marrëveshje, në mënyrë që pas konstituimit të Kuvendit të mos përballemi me bllokime apo me mundësinë e zgjedhjeve të reja. Kjo nuk është në interes të qytetarëve dhe as të vetë shtetit", u shpreh Haxhiu.
Ajo mirëpriti takimet e nisura me ftesë të kryeministrit Albin Kurti dhe vlerësoi pjesëmarrjen e PDK-së dhe LDK-së në proces, megjithëse theksoi se LDK-ja ka pezulluar negociatat, ndërsa AAK-ja nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës.
"Nuk mund të ketë marrëveshje pa dialog dhe pa takime. Ftoj të gjitha subjektet politike të tregojnë seriozitet dhe konstruktivitet, sepse askush nuk përfiton nga zgjedhjet e jashtëzakonshme", tha Haxhiu.
Ajo shtoi se është e rëndësishme që në seancën konstituive të marrin pjesë të 120 deputetët, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, sfida më e madhe mbetet zgjedhja e presidentit të Kosovës, proces që kërkon të paktën 80 vota në Kuvend, një shumicë që LVV nuk e disponon.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit, Kushtetuta parashikon mbajtjen automatike të zgjedhjeve të reja parlamentare.



