Profesori Mentor Ismaili, duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv, tha se me protestën e radhës që u mbajt sot në Shkup iu bë me dije Gjykatës së Hagës se ish-krerët e UÇK-së janë çlirimtarët e Kosovës dhe atyre po u bëhet një padrejtësi. Ai tha se vendimi i Hagës do të merret së shpejti dhe beson që Thaçi dhe të tjerët do lirohen nga akt-akuzat.
“Liria ka emër. Ka filluar me Prishtinën, ku janë tubuar 100 mijë persona. Ka kaluar në diasporë në disa qendra. Një tubim i madh me më tepër se 80 mijë njerëz në Tiranë, dhe tani më në fund në Shkup. Ne duam t’ia bëjmë me dije Gjykatës së Hagës, se çlirimtarët, Thaçi, Krasniqi, Veseli, Selimi, janë ata që e kanë çliruar Kosovën. Është një e padrejtë që po u bëhet çlirimtarëve dhe gjithë popullit të Kosovës. Të gjithë shqiptarët kudo që janë duhet të jenë unik në mbështetje të çlirimtarëve. Vendimi i Hagës do merret së shpejti, një verdikt do dalë tanimë. Gjykata e Hagës jam i bindur që do t’i lirojë nga të gjitha akt-akuzat”.
I pyetur për zgjedhjet parakohshme, Ismaili tha:
“Do të ketë ndryshime drastike, pasi ish-kryeministri Albin Kurti s’arriti të sigurojë 61 deputetë për të krijuar qeverinë. Besoj se projekti i profesor Bedri Hamzës do jetë projekti fitues dhe Kosovën ta kthejmë në binarët e duhur, pasi ndodhet në kaos të vërtetë”.



