
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e dëbimit dhe ndalimin e hyrjes në Kosovë për tre vjet, si dhe gjoba për 36 personat e ndaluar në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit më 28 qershor.
Të ndaluarit, kryesisht shtetas nga Serbia dhe vende të rajonit, akuzoheshin për “shkaktim të trazirave dhe cenim të rendit dhe qetësisë publike” gjatë tubimit në Gazimestan.
Ata janë proceduar në gjykatë pas ndalimit nga Policia e Kosovës, e cila fillimisht kishte shoqëruar 37 persona.
Sipas vendimit, masa e dëbimit dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë vlejnë për shtetasit e huaj që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, ndërsa gjykata ka vendosur edhe gjobë prej 700 eurosh për secilin prej tyre.
Deri në pagesën e gjobës, dokumentet personale të të dënuarve nuk do të kthehen.
Gjyqtarja e çështjes, Naime Krasniqi, u shpreh se vendimi bazohet në faktin se disa prej të pranishmëve kanë brohoritur “Kosova është Serbi” dhe kanë përdorur simbolin e tre gishtave, veprime që sipas saj konsiderohen mesazhe me karakter nacionalist, në kundërshtim me paralajmërimet e policisë për ndalimin e nxitjes së urrejtjes ndëretnike, fetare apo politike.
Ndërkohë, në opinion janë ngritur pretendime për keqtrajtim të të ndaluarve nga zyrtarët policorë të Kosovës, pretendime që nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se do të hetojë rastin, pavarësisht se deri tani nuk janë paraqitur ankesa zyrtare.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka dënuar masën, duke e cilësuar atë si “akt represiv dhe të turpshëm”.
Gazimestani, ku u mbajt tubimi, është vend simbolik për komunitetin serb dhe lidhet edhe me fjalimin e vitit 1989 të Sllobodan Millosheviçit, i cili shpesh konsiderohet si një nga momentet që paraprinë konfliktet e ish-Jugosllavisë.



