
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar të premten një aktakuzë në mungesë kundër 21 personave, të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile, konkretisht për dëbimin e mbi 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Në një deklaratë zyrtare, kryeprokurori Blerim Isufaj e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë, në përpjekje për të mbajtur përgjegjës ata që kanë shkaktuar vuajtje masive gjatë luftës.
Ndërsa prokurori i çështjes, Atdhe Dema, dha detaje mbi aktakuzën, duke theksuar se pas hetimeve shumëvjeçare, janë siguruar prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimet e bazuara mirë për përfshirjen e të pandehurve në krime lufte kundër civilëve shqiptarë, gjatë periudhës janar-qershor 1999.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kishin autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat e armatosura, përfshirë Ushtrinë Jugosllave dhe Policinë Serbe dhe ishin në dijeni të veprimeve të ndaluara nga e Drejta Ndërkombëtare Humanitare që kryheshin nga këto forca në terren.
“Këto veprime përbëjnë pjesë të një fushate të koordinuar, që kulmoi me zhvendosjen e dhunshme të rreth 863 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova,” – deklaroi prokurori Dema, duke iu referuar statistikave zyrtare të kohës.
Të akuzuarit do të gjykohen në mungesë, ndërsa procesi pritet të shënojë një precedent të rëndësishëm në trajtimin gjyqësor të krimeve të luftës në Kosovë.



