
Ish-diplomati amerikan James Rubin ka kritikuar ashpër Dhomat e Specializuara në Hagë, gjatë ditës së dytë të dëshmisë së tij në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rubin deklaroi se ka refuzuar të dëshmojë në emër të Prokurorisë për shkak të qëndrimeve të tij parimore ndaj vetë ekzistencës dhe funksionimit të kësaj gjykate.
Ai e quajti të padrejtë që të akuzuarit janë mbajtur pesë vite në paraburgim, megjithëse, sipas tij, janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me organet e drejtësisë.
“S’e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg. Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë. Kjo më shqetëson,” tha Rubin, duke shtuar se kjo situatë nuk është në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës.
Ai theksoi se një veprim i tillë nuk ishte qëllimi fillestar kur ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, mbështeti krijimin e Tribunalit të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi.
Kjo ka qenë e gabuar. Kjo nuk është drejtësi.
Gjatë dëshmisë, Rubin u ballafaqua me pyetje nga prokurori James Pace, i cili i kujtoi një deklaratë të bërë më herët nga Rubin, ku ai kishte cilësuar Prokurorinë si “turp”.
Rubin tha se mund të ketë qenë shprehje e pamatur pasi që siç u shpreh, kur je në televizion edhe mund të lëshosh fjalë.
Megjithatë, Rubin shtoi se nuk e ka ndjekur nga afër procesin, nuk ka lexuar dosjen paragjyqësore, aktakuzën apo dëshmitë e mëparshme, duke e theksuar se komentet e tij janë më shumë në nivel politik dhe moral sesa juridik.
Në një deklaratë të mëparshme, Rubin kishte theksuar se është "absurde dhe për të ardhur keq" që përpjekjet e UÇK-së të barazohen me krimet e kryera nga forcat serbe, të cilat, sipas tij, janë përgjegjëse për 95% të vrasjeve masive në Kosovë.
Rubin gjithashtu ka kritikuar faktin që Hashim Thaçi po mbahet në paraburgim, ndërkohë që Gjykata Speciale u krijua me vendim të Kuvendit të Kosovës.
Seanca ndaj Thaçit dhe të bashkëakuzuarve vazhdon, ndërsa Rubin është duke u pyetur edhe nga trupa gjykuese.



